Friday, August 15, 2014

A favorizon reklama si kjo sot e 300 ditëve një parti politike?


 Reklamat e 300 ditëve të qeverisë, të cilat i sheh kudo në hapësirat e mundshme për reklamim në Tiranë, me paratë e taksapaguesve që sot nuk kanë shkolla të mira apo ndoshta nuk kanë fare në disa zona rurale, nuk kanë spitale të mira, shkurt ka 1000 destinacione për këto para që janë më imediate se një reklamë qeveritare për veten e vetë, fundja reklama më e mirë për qeverinë do të ishte përmirësimi i shërbimeve që ne marrim. Por sot qeveria vendos të shpenzoj një pjesë të këtyre parave për të na thënë se 300 e para të qeverisjes së koalicionit PS-LSI ishin të suksesshme.
Në një nga vendet më të varfër të Evropës familjaret, të rinjtë apo pensionistët shqiptar mes sakrificave dhe mundit kanë krijuar të ardhura për buxhetin e shtetit, të abuzosh me paratë e sakrificave të 3 milion shqiptarëve për të favorizuar një parti politike është e pamoralshme dhe po aq krim sa vjedhja!
Reklamat e 300 ditëve, të cilat janë në çdo rrugë të Tiranës, nuk sjellin asnjë përfitim dhe madje ngrenë pyetje serioze nëse përmbushin një qëllim tjetër veçse potencialisht vota për koalicionin që është në pushtet.

A mos ndoshta në një nga vendet më të varfër të Evropës, qindra miliona nga shteti shkojnë për reklama që favorizojnë partin në pushtet? Nëse po, kjo është kriminale! Ka qeveri që me taksat arrin të ndryshojnë realitete, ka qeveri që me taksat arrin vetëm të krijojnë realitete virtuale, me qëllim të vetëm mbajtjen e pushtetit. Për disa politika sot do të thotë që pasi ndërton një shkollë 100 mijë $ nga taksat më pas shpenzon 1milion $ nga taksat për të reklamuar që e bëre ti.

Pastaj del pyetja pse mos të bëj dhe një antifushatë për 300 ditët e qeverisë opozita me lekët e shtetit? Po pastaj mund të lindin pyetje pse jo dhe për 100 ditë në pushtet, nuk asnjë arsye pse është vendosur simbolika romantike e 300 ditëve, nëse “legjitimohet” fushata e 300 ditëve me lekët tona çfarë ndal qeverinë aktuale të bëj fushata reklamimi edhe per 350 apo 400 ditët, ku na thotë pse së bashku me qytetarët ia ka dal të qeverisi mirë. A duhet të pranojmë të japim para për të na thënë të vërtetat e tyre me lekët tona?

Ekziston rreziku se abuzimi me taksat dhe reklamën e pamoralshme si kjo e 300 ditëve mund të krijoj kushtet që një parti të mbahet me "dhunë" në pushtet fal propagandës, më e tmerrshmja akoma kjo të mundësohet nga taksat tona! Padyshim një gjë është e sigurt se paratë e shtetit nuk janë për të reklamuar, financuar dhe favorizuar parti politike direkt apo indirekt!